Deutsch English French Spanish Italian Greek Polish Russian Turkish Albanian

Kurs integrimi

Udhëzues rreth kursit të integrimit

për qytetarë të huaj me të drejtën dhe detyrimin për pjesëmarrje në kurs, të cilët kanë emigruar kohët fundit në Gjermani dhe për qytetarë të huaj me detyrimin për pjesëmarrjeje, të cilët jetojnë prej kohësh në Gjermani

Të dashur bashkëqytetarë,
sipas ligjit për lejeqëndrim ju keni të drejtën për të marrë pjesë njëherë në një kurs integrimi, apo ju keni detyrimin për të ndjekur një kurs integrimi.



Sign up Integration Course

Çfarë është një kurs integrimi?

Kursi i përgjithshëm i integrimit përbëhet nga një kurs gjuhe me 600 orë mësimi si dhe një kurs orientimi me 100 orë mësimi. Kursi i gjuhës përbëhet nga njësi-mësimore dhe çdo njësi-mësimore ka përkatësisht 100 orë mësimi. 300 orët e para të mësimit quhen kursi bazë i gjuhës, ndërsa 300 orët e tjera të mësimit përbëjnë një kurs më të zgjeruar të gjuhës.

Në kursin e gjuhës ju mësoni një fjalor, i cili ju nevojitet për të folur dhe shkruar në jetën e përditshme. Këtu bëjnë pjesë komunikimi me institucionet zyrtare, biseda me fqinjët dhe kolegët e punës, shkrimi dhe formulimi i letrave si dhe plotësimi i formularëve.

Kursi i orientimit ju informon mbi jetën në Gjermani si dhe ju jep njohuri mbi rendin juridik, kulturën dhe historinë e vendit.

Ka edhe kurse speciale integrimi p.sh. për gra, prindër, të rinj si dhe për persona të cilët nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë mirë. Këto kurse përbëhen nga 900 + 100 orë mësimi. Në qoftë se ju mësoni shpejt, atëherë ju mund të bëni një kurs intensiv. Ky kurs përbëhet nga 430 orë mësimi.

Cili kurs dhe cila njësi-mësimore është më e përshtatshme për të filluar kursin për ju përcaktohet nga organizatori i kursit me anën e një provimi (testi) para fillimit të kursit.

Pjesëmarrja në provimin (testin) përfundimtar

Provimi përfundimtar përbëhet nga testi i gjuhës dhe testi i kursit të orientimit. Në qoftë se në testin e gjuhës ju zotëroni njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane dhe kaloni testin e kursit të orientimit, atëherë ju e keni përfunduar me sukses kursin e integrimit dhe merrni dëshminë „Zertifikat Integrationskurs“ - "Çertifikata e kursit të integrimit".

Në qoftë se ju nuk e mbaroni me sukses provimin (testin), atëherë ju lëshohet një vërtetim me rezultatin e arritur.

Pjesëmarrja në provimin (testin) përfundimtar është pa pagesë.

Përparësitë e pjesëmarrjes në kursin e integrimit

Të huajt, të cilët vijnë nga një shtet i cili nuk bën pjesë në Bashkimin Evropian duhet të plotësojnë disa kushte në qoftë se ata duan të marrin një leje të pakufizuar (përhershme) qëndrimi në Gjermani. Përveç të tjerash ata duhet të kenë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane, njohuri bazë të rendit (shtetit) juridik dhe shoqëror, si dhe të mënyrës se jetesës në Gjermani. Me përfundimin me sukses të kursit të integrimit ju i keni përmbushur kushtet e mësipërme. Përveç kësaj ju mund të merrni më shpejt shtetësinë gjermane.

Gjithashtu njohuritë e fituara në kursin e integrimit ju lehtësojnë jetën e përditshme në Gjermani dhe i rrisin shanset tuaja në tregun e punës.

Paraqitja në kursin e integrimit

Nëse e gëzoni të drejtën e pjesëmarrjes në një kurs integrimi ose jeni të detyruar për pjesëmarrje, atëherë ju do të njoftoheni me anë të një vërtetimi (leje e pranimit) me shkrim nga Zyra përkatëse e të huajve ose nga organi përkatës i Entit për Punësim II (Arbeitslosengeld II). Njëkohësisht ju merrni një listë ku janë shënuar organizatorët e kursit, të cilët organizojnë kurse integrimi në afërsi të vendbanimit tuaj.

Ju lutemi regjistrohuni sa më parë që të jetë e mundur tek një organizator i kursit duke i paraqitur vërtetim e pranimit. Nëse në vërtetimin e pranimit në fjalinë "Die Teilnahmeberechtigung bzw die Teilnahmeverpflichtung ist gültig bis..." është vendosur një datë atëherë duhet të paraqiteni deri në këtë datë tek organizatori i kursit për t’u regjistruar në kursin e integrimit. Organizatori i kursit duhet t’ju tregojë me përafërsi kohën e fillimit të ndonjë kursi. Kursi nuk duhet të fillojë më vonë se tre muaj nga dita e regjistrimit tuaj. Në qoftë se në këtë kohë nuk organizohet ndonjë kurs, atëherë organizatori i kursit është i detyruar t’ju informoje për këtë. Ju mund të vendosni vetë, nëse dëshironi të prisni apo të regjistroheni tek një tjetër organizator kursi. Në këtë rast organizatori i kursit duhet t’ju kthejë lejen e pranimit.

Pjesëmarrja e rregullt në kurs

Për të arritur qëllimin e kursit të integrimit ju duhet të merrni pjesë rregullisht në kurs. Kjo do të thotë se mësimi duhet të ndiqet rregullisht dhe të merrni pjesë në testin përfundimtar. Gjithashtu pjesëmarrja e rregullt në kurs është me rëndësi për ju, nëse dëshironi që të merrni kompensimin e pagesës së udhëtimit apo të përsëritni më vonë orët e mësimit të kursit të zgjeruar të gjuhës. Organizatori i kurseve vërteton pjesëmarrjen tuaj të rregullt në formë të shkruar, nëse ju e dëshironi një vërtetim të tillë.

Ndërrimi i organizatorit të kursit është i mundur vetëm pas përfundimit të një njësie-mësimore të kursit.

Shpenzimet e kursit të integrimit

Ju duhet t’i paguani organizatorit të kursit 1,95 euro për orë mësimi. Kjo shumë duhet të paguhet në çdo fillim njësie-mësimore 100 orëshe të kursit dhe para fillimit të kursit të orientimit. Në qoftë se mungoni në mësim, shuma për orët e humbura të mësimit nuk ju kthehet mbrapsht. Në qoftë se ju nuk keni të ardhura financiare, atëherë shumën e kërkuar duhet ta paguajë personi i cili mban përgjegjësi për shpenzimet e jetesës tuaj.

Zyra Federale mund t`ju çlirojë nga pagesa në qoftë se ju nuk jeni në gjendje të paguani për shkak të të ardhurave shumë të ulta. Kërkesën për përjashtimin nga pagesa ju duhet të bëni me shkrim tek Zyra Federale Rajonale, e cila është përgjegjëse për ju (shiko listën e adresave).

Vërtetimin e nevojave tuaja financiare dorëzojeni të bashkëngjitur me (kopje të vërtetimit përkatës, p.sh. vërtetim të mbështetjes për papunësinë II, ndihmat për jetesën, ndihmat për banesën, skemën e ndihmës financiare për studentët, ndihëm financiare për fëmijët, përfitime nga ligjet e imigracionit, përjashtimin nga pagesat e kujdesit ditor, përjashtim nga pagesat GEZ, biletën sociale lokale, etj.). Ju lutemi, bëni dorëzimin e kërkesës mundësisht përpara pjesëmarrjes në kurs.

Në qoftë se përfitoni nga shteti paratë e papunësisë II (Arbeitslosengeld II) dhe zyra përkatëse ju vë nën detyrimin e ndjekjes së një kursi integrimi, atëherë ju jeni i çliruar automatikisht nga pagesa. Në këtë rast ju nuk duhet të bëni ndonjë kërkesë në Zyrën Federale. Por ju duhet të informoni Zyrën Federale rajonale në qoftë se nuk trajtoheni më me paratë e papunësisë II.

Kompensimi i shpenzimeve

Nëse ju keni marrë pjesë me sukses në testin përfundimtar pas datës 08.12.2007, atëherë Zyra Federale mund t’ju kthejë mbrapsht 50% të vlerës së shpenzimeve të paguara. Por kjo vlen vetëm nëse nga data e lëshimit të dokumentit të lejimit të pjesëmarrjes deri në testin përfundimtar kanë kaluar jo më tepër se dy vite. Për kompensimin e shpenzimeve duhet të parashtroni një kërkesë në Zyrën përkatëse Rajonale të Zyrës Federale

Shpenzimet e udhëtimit

Shpenzimet e duhura të udhëtimit ju kthehen vetëm kur përfitoni nga shteti paratë e papunësisë II (Arbeitslosengeld II) dhe zyra përkatëse ju vë nën detyrimin e ndjekjes së një kursi integrimi. Nëse jeni përjashtuar nga detyrimet për të paguar koston e kontributit nga Zyra Federale, atëherë do të merrni një mbështetje financiare për kostot e udhëtimit. Kusht paraprak është gjithnjë që vendi i mbajtjes së kursit të jetë më shumë se 3 km larg vendbanimit tuaj. Ju do të kompensoheni në parim gjithnjë për shpenzimet e udhëtimit vetëm për vendin më të afërt të kursit. Ju lutemi pyetni organizatorin e kurseve, nëse duhet të parashtroni kërkesën për shpenzimet e udhëtimit në zyrën përkatëse të Zyrës Federale Rajonale.

Në parim mund të kompensohen shpenzimet e udhëtimit vetëm kur ka një pjesëmarrje të rregullt në kurs.

Përsëritja e kursit të zgjeruar të gjuhës

Nëse nuk keni dëshmuar njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane në testin e gjuhës, atëherë keni mundësinë e përsëritjes edhe një herë të deri 300 orëve mësimore të kursit të gjuhës, dhe të merrni sërish pjesë pa kosto në testin e kursit. Si kusht shtesë këtu është pjesëmarrja juaj e rregullt gjatë mësimit dhe më pas, në testin përfundimtar.

Pjesëmarrja në testin e gjuhës nuk është e nevojshme, nëse ju ndiqni kursin e shkrim/leximit (për analfabetët).

Nëse dëshironi të merrni pjesë në orët e përsëritura duhet të parashtroni një kërkesë në Zyrën Federale rajonale përkatëse.

Udhëzime për pjesëmarrjen e detyruar

Në qoftë se zyra e të huajve apo nga zyra e punës (që ju paguan paratë e papunësisë II) ju vë nën detyrimin për të ndjekur një kurs integrimi, atëherë ju duhet të regjistroheni sa më shpejt që të jetë e mundur tek një organizator i një kursi integrimi dhe të merrni pjesë rregullisht në këtë kurs.

Në qoftë se ju nuk e bëni një gjë tillë atëherë ndër të tjera ju mund të keni pasojat mëposhtme:
  • Kjo mund të ndikojë në vendimin për zgjatjen e lejes së qëndrimit.
  • Në qoftë se ju trajtoheni (merrni) me ndihmë sociale, ajo mund t’ju shkurtohet.
  • Eventualisht mund t’ju kërkohet nga zyra e të huajve që shumën prej 1,55 EURO për orë mësimi ta bëni me parapagim për të gjithë kursin e integrimit në formën e një pagese.
  • Mund të vendoset dhënia e ndonjë gjobe.
Organizatori juaj i kursit duhet të informojë zyrën e të huajve ose zyrën e punës (ku merrni paratë e papunësisë II), në qoftë se ju nuk merrni pjesë rregullisht në kursin e integrimit.

Çfarë duhet të dini më tepër

Të gjithë formularët e përmendur në këtë udhëzues mund t’i merrni tek organizatori i kursit, në Zyrën e të huajve ose në Zyrën tuaj përkatëse Rajonale Federale. Përveç kësaj, formularët mund t’i gjeni dhe në Internet, në adresën: www.bamf.de.

Ky udhëzues përmban informacionet më të rëndësishme rreth pjesëmarrjes tuaj në kursin e integrimit. Detajet tjera do t’i merrni nga organizatori i kurseve.

Veç tjerash ju lutemi të merrni në konsideratë ofertat e Qendrave për Këshillim të Migrimit si dhe të Shërbimeve Rinore për Migrim. Ato ju ndihmojnë në lidhje me aplikimet, ju përgjigjen pyetjeve, kujdesen për problemet tuaja dhe mund të kërkojnë për ju një kurs të përshtatshëm integrimi. Adresat e Qendrave për Këshillim mbi Migrimin si dhe të Shërbimeve Rinore për Migrim në afërsinë të vendbanimit tuaj mund t’i gjeni në Zyrën për të huajt, në Zyrat Rajonale të Zyrës Federale ose në Internet, në adresën: www.bamf.de.

Ju lutemi, merrni në konsideratë se gjatë ndjekjes së kursit për integrim ju nuk jeni të siguruar në sigurimin ligjor për aksidente.



The Federal Office for Migration and Refugees is responsible for development of the basic structure and teaching and learning content of Integration Courses as well as their execution. All information is subject to changes in the legal framework. Status 1.7.2012





Sign up Integration Course